Në datën 31 tetor, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, bashkë me drejtorin e Departamentit të Administratës Publike, znj. Enkela Dudushi zhvilloi një takim me partnerë, ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile ku prezantoi risitë kryesore të projekt-ndryshimeve të Ligjit “Për nëpunësin civil”.
Projektligji synon:
1. Rritjen e efikasitetit të procesit të pranimit dhe menaxhimit të nëpunësve civilë
2. Tërheqjen e më shumë profesionistëve të kualifikuar nga jashtë sistemit publik
3. Forcimin e transparencës dhe sigurisë ligjore në rekrutime
4. Krijimin e një strukture pagash të riformatuar, që lidhet drejtpërdrejt me performancën dhe motivimin
Sipas ndryshimeve të propozuara, kuota për rekrutimet nga jashtë do të rritet nga 20% në 50% të pozicioneve vakante brenda administratës publike në një vit.
Proces gjithëpërfshirës dhe mbështetje ndërkombëtare
Projektligji është hartuar në bashkëpunim me programin “BE për Mirëqeverisjen” dhe ekspertët e OECD/SIGMA, në bashkëpunim me ministritë, institucionet e pavarura dhe prej datës 31 tetor 2025 do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik me të gjitha grupet e interesit.
Synimi strategjik
Kjo reformë përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një administrate profesionale dhe të bazuar në merita, në përputhje me kërkesat e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo synon të garantojë që shërbimi civil të jetë më i hapur, më fleksibël dhe më tërheqës për profesionistët e rinj.
Procesi i konsultimit publik për Projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 152/2013, 'Për nëpunësin civil'", të ndryshuar do të qëndrojë i hapur për komente dhe sugjerime në faqen e dedikuar të konsultimeve publike deri në datën 05.12.2025.