Në 21 tetor u zhvillua në Tiranë takimi i 13-të i Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, i kryesuar nga znj. Sigrid Brettel, Shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, dhe znj. Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Përfaqësuesit e ekipit kombëtar të negociatave raportuan zhvillimet kryesore në lidhje me zbatimin e Reformës së Administratës Publike, përfshirë kornizën strategjike, shërbimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e financave publike, hartimin dhe koordinimin e politikave, llogaridhënien dhe ofrimin e shërbimeve.

Komisioni mirëpriti progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, përmes hapjes së pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues që nga takimi i mëparshëm. Komisioni theksoi nevojën për të ruajtur një progres të qëndrueshëm në avancimin e reformave të lidhura me BE-në. Gjatë takimit u nënvizua progresi në Grupkapitullin "Themeloret" përfshirë Reformën e Administratës Publike, që do të diktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit, si dhe u vunë në dukje përfitimet e reformës për qytetarët dhe bizneset.

Sa i takon shërbimit publik dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, Komisioni theksoi rëndësinë e sigurimit të kapaciteteve dhe strukturave të duhura të administratës publike për të mbështetur procesin e anëtarësimit dhe për të qenë e gatshme të zbatojë acquis-në e BE-së nga dita e anëtarësimit. Komisioni mirëpriti gjithashtu hapat për ndryshimet në Ligjin "Për nëpunësin civil". 

Komisioni vuri në dukje finalizimin e strategjisë kombëtare të pagave, përfshirë zbatimin e saj edhe në administratën vendore, dhe inkurajoi autoritetet të nxisin më tej profesionalizmin e shërbimit civil.

Sakaq, qeveria shqiptare rikonfirmoi angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ndjekur progresin në të gjitha këto fusha kyçe, përmes zbatimit dhe monitorimit të vazhdueshëm të agjendës së reformës së administratës publike si një hap shumë i rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.