28 Janari është Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në botë njihet si Dita e Privatësisë – Privacy Day.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të aktiviteteve për Javën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në funksion të interesit publik, ka përgatitur një poster elektronik ndërgjegjësuese.

Njohja, ndërgjegjësimi dhe promovimi në tërësi i të drejtave dhe lirive themelore të individit është një nga detyrat kryesore të autoriteteve publike për forcimin e vetëdijes qytetare. Një shoqëri demokratike e shëndetshme nuk mund të kuptohet pa një proces të vazhdueshëm edukativ për kultivimin e kulturës në ushtrimin praktik të këtyre të drejtave. Në këtë kontekst, e sidomos duke marrë në konsideratë përparimin teknologjik dhe digjitalizimin, mbrojtja e të dhënave personale është shumë e rëndësishme dhe në themel të zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë.

28 janari përkon me miratimin në vitin 1981 nga Këshilli i Evropës të Konventës 108 “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale”. Vendi ynë e ka përfshirë në legjislacionin kombëtar këtë dokument me miratimin e ligjit nr. 9288/2004. Konventa është modernizuar në maj të vitit 2018 (Konventa 108+) me aprovimin e Protokollit CETS No. 223, i cili u nënshkrua në 28 janar 2022 edhe nga Shqipëria dhe është bërë pjesë e legjislacionit nëpërmjet ligjit 49/2022.