Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike u krijua në kuadër të monitorimit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), me qëllim sigurimin e një kornize afatmesme për një dialog më të strukturuar mbi administratën publike, duke përfshirë qeverisjen lokale.

Komisioni Evropian ka rritur theksin mbi reformën në administratën publike në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë reformë ndër prioritetet kyçe të strategjisë së zgjerimit. Nisur nga sfidat që ka patur administrata ndër vite. Komisioni Evropian, prej vitit 2014, vendosi të ndyshojë strategjinë e punës dhe të kalojë në një ‘dialog më të strukturuar’ duke ngritur ‘grupe të posaçme’ mbi reformën në administratën publike në ‘vendet e zgjerimit’.

Grupi i Posaçëm për Reformën e Administratës Publike BE – Shqipëri, shërben si platforma kryesore për të cuar përpara punën në kuadër të Reformës në Administratën Publike, dhe ka për synim përfshirjen e kësaj reforme në procesin e zgjerimit.

Takimet e këtij grupi pune bashkëdrejtohen nga Shefi i Njësisë për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, i Komisionit Evropian si dhe përfaqësuesi politik i Shqipërisë përgjegjës për ndjekjen e reformës në administratën publike.