Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, 1 Maj, Departamenti i Administratës Publike, mori pjesë në Panairin e Punës për qarkun e Tiranës. Në stendën e Departamentit të Administratës Publike u mirëpritën rreth 300 persona të cilët shprehën interesin për mundësitë e punësimit në shërbimin civil.

Përfaqësues të DAP prezantuan me detaje mënyrën e aplikimit online, duke ju përgjigjur dhe dhënë informacion të plotë mbi çdo pyetje të bërë nga vizitorët të cilët ndalonin dhe shprehnin interesin e tyre në stendën e Departamentit të Administratës Publike. Gjithashtu të interesuarit u orientuan lidhur me procesin e aplikimit dhe konkurrimit në tërësi, ndërsa u informuan për 88 vendet e lira aktualisht të aksesueshme për aplikim, në kategorinë ekzekutive.

Pozicionet e prezantuara përfshinin fusha të ndryshme të arsimit si: jurist, ekonomist, shkenca sociale e të tjerë. Nëpërmjet broshurave dhe fletushkave të interesuarit u informuan për vendet me dhe pa eksperiencë pune në institucione të ndryshme qendrore në ministri, institucione varësie, prefektura apo institucione të tjera në rrethe.

Panairi i cili u zhvillua në sheshin Skënderbej, organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, synoi ndërtimin e një platforme efiçente komunikimi dhe ndërveprimi mes aktorëve në tregun e punës, qeverisë, sipërmarrjes, zyrave të punës, shkollave të arsimit profesional dhe punëkërkuesve, me qëllim prezantimin e mundësive që ofron tregu i punës në rajonin e Tiranës.