Me nismën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe mbështetjen e Këshillit të Evropës në Tiranë u zhvillua nga data 27 deri më 31 maj “Java e Administratës Publike”.
Java me evente të hapura synoi njohjen e publikut me punën e përditshme të administratës publike, vizionin për transformimin si dhe planin konkret për modernizimin e mëtejshëm të saj.
Java nisi me aktivitetin e parë “Panairi i Administratës Publike”, i cili u mbajt në datat 27-29 maj në sheshin Italia, ku u mirëpritën qytetarët e interesuar pranë stendave të institucioneve qendrore dhe jo vetëm, për të informuar këdo që kishte interes për të mësuar më shumë rreth punës së tyre.
Departamenti i Administratës Publike priti gjithashtu në stendën e tij shumë të interesuar rreth vendeve vakante dhe mundësive të punësimit në administratën publike.