105 të rinj që kanë përfunduar studimet bachelor dhe master, me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri do të fillojnë së shpejti punë në administratën shtetërore.
Departamenti i Administratës Publike zhvilloi në datat 15-16-17 Janar 2025 procesin e përzgjedhjes së pozicioneve të punës nga kandidatët e kualifikuar në Thirrjen e fundit të punësimit të ekselentëve në administratën shtetërore.
372 ekselentë të kualifikuar, të renditur sipas pikëve të grumbulluara patën mundësi të bëheshin pjesë e procesit të përzgjedhjes së 153 pozicioneve të ofruara në thirrje, në 80 institucione shtetërore, 22 qytete të vendit në 31 profile të ndryshme.
Të rinjtë e punësuar falë kësaj thirrjeje do të përfitojnë përvojë pune 1 vjeçare dhe pas një viti mund të aplikojnë në pozicionet e tyre apo dhe pozicione të tjera duke përmbushur kriterin e eksperiencës që kërkohet në fazën e rekrutimit me konkurs.
Ky mekanizëm i suksesshëm ndër vite synon nxitjen e studentëve ekselentë të bëhen pjesë e administratës shtetërore duke i ndihmuar në zhvillimin e aftësive profesionale dhe orientimin e karrierës së tyre.
Rezultatet e përzgjedhjes së Thirrjes i gjeni në linkun këtu