“Nepunesit Civil” ne kuptim te ketij ligji jane ata nepunes te institucioneve te administrates publike te nivelit qendror apo vendor, te cilet ushtrojne autoritetin publik, ne detyra te natyres drejtuese, organizuese, mbikqyrese apo ekzekutuese, percaktuar sipas nenit 11 te ligjit te Statusit te Nepunesit Civil
Hyr Trajnime Pyetje per Trajnim Regjistrohuni105 të rinj që kanë përfunduar studimet bachelor dhe master, me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri do të fillojnë së shpejti punë në administratën shtetërore.
Departamenti i Administratës Publike zhvilloi në datat 15-16-17 Janar 2025 procesin e përzgjedhjes së pozicioneve të punës nga kandidatët e kualifikuar në Thirrjen e fundit të punësimit të ekselentëve në administratën shtetërore.
372 ekselentë të kualifikuar, të renditur sipas pikëve të grumbulluara patën mundësi të bëheshin pjesë e procesit të përzgjedhjes së 153 pozicioneve të ofruara në thirrje, në 80 institucione shtetërore, 22 qytete të vendit në 31 profile të ndryshme.
Të rinjtë e punësuar falë kësaj thirrjeje do të përfitojnë përvojë pune 1 vjeçare dhe pas një viti mund të aplikojnë në pozicionet e tyre apo dhe pozicione të tjera duke përmbushur kriterin e eksperiencës që kërkohet në fazën e rekrutimit me konkurs.
Ky mekanizëm i suksesshëm ndër vite synon nxitjen e studentëve ekselentë të bëhen pjesë e administratës shtetërore duke i ndihmuar në zhvillimin e aftësive profesionale dhe orientimin e karrierës së tyre.
Rezultatet e përzgjedhjes së Thirrjes i gjeni në linkun këtu
Departamenti i Administratës Publike miratoi në 21 janar tre dokumente të rëndësishme për etikën:
1. “Manuali praktik i rregullave të etikës për nëpunësit e administratës publike”;
2. Udhëzimi për “Rolin e njësive të burimeve njerëzore në zbatimin e legjislacionit për etikën dhe përcaktimin e procedurave të mbikëqyrjes nga Departamenti i Administratës Publike”;
3. Udhëzimi i ri për “Organet Disiplinore dhe procedurën e shqyrtimit të shkeljeve disiplinore”.
Dokumentet që do të shërbejnë për orientimin e nëpunësve të administratës publike, në kryerjen e detyrave funksionale me përgjegjësi dhe në përputhje me normat etike janë hartuar pas një bashkëpunimi të ngushtë me ekspertët e kontraktuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, në kuadër të projektit “Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike”, financuar nga Ambasada Suedeze në Tiranë.
DAP në bashkëpunim me ASPA (Shkolla Shqiptare e Administratës Publike) do të vijojë më tej me trajnimin e stafit të burimeve njerëzore në institucionet publike, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe njohurive për zbatimin e këtyre rregullave në praktikë.
Për më shumë informacion, dokumentet mund t’i gjeni këtu:
https://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/756-urdher-nr-70-date-21-01-2025
https://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/755-udhezim-nr-2-date-21-01-2025
https://www.dap.gov.al/legjislacioni/udhezime-manuale/754-udhezim-nr-1-date-21-01-2025
Departamenti i Administratës Publike në datat 17-18-19 dhjetor prezantoi zhvillimet më të fundit të Regjistrit Qendror të Personelit (HRMIS) dhe shtrirjen e tij në:
- Sistemin shëndetësor
- Arsimin parauniversitar
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore
Në aktivitetin treditor morën pjesë: Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku, Zëvendëskreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Olsi Dekovi, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), të njësive të burimeve njerëzore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, të njësive të burimeve njerëzore të Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar, si dhe përfaqësues të njësive të burimeve njerëzore të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore.
Drejtori i DAP, Enkela Dudushi, gjatë fjalës përshëndetëse vuri theksin te modernizimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, si një proces shumë i rëndësishëm reformues, ku kërkohet bashkëpunim i ngushtë dhe angazhim maksimal i nëpunësve të administratës shtetërore për t’u përshtatur me ritmin e ndryshimeve teknologjike.
“Përmes dy sistemeve kyçe: Regjistrit Qendror të Personelit (HRMIS) dhe Platformës së Bashkëpunimit, synohet transformimi i menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe nxitja e bashkëpunimit ndër-institucional, për një administratë më të koordinuar dhe efektive”- tha znj. Dudushi.
Pjesëmarrësit nëpërmjet pyetjeve të ndryshme patën mundësi të diskutonin për përmirësimin e lehtësimin e punës së tyre, efikasitetin dhe transparencën e proceseve të burimeve njerëzore, duke lehtësur aksesin në informacion dhe dokumente për punonjësit.
Si pjesë e projektit “Mbështetje për Reformën e Administratës Publike në Nivel Lokal në Shqipëri”, Këshilli i Evropës do të kontribuojë në zbatimin e suksesshëm të këtyre sistemeve, duke mbështetur njësitë e burimeve njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit përmes sesioneve dhe materialeve trajnuese, udhëzimeve praktike dhe asistencës direkte në vendin e punës.
Departamenti i Administratës Publike në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin njofton hapjen e thirrjes për punësimin e ekselentëve në administratën shtetërore.
DAP fton të rinjtë dhe të gjithë të interesuarit të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, Master Profesional, Master Shkencor ose Master Profesional (120 kredite), me mesatare 9.00-10.00, nga viti 2021 e në vijim të aplikojnë në thirrjen e radhës.
Thirrja me afat aplikimi, datë 12.12.2024, përmban 153 pozicione vakante në 80 institucione shtetërore, në 12 qarqe të Shqipërisë.
Ky mekanizëm synon nxitjen e studentëve ekselentë të bëhen pjesë e administratës publike për punësimin e përkohshëm për 1 vit, duke i ndihmuar në zhvillimin e aftësive profesionale dhe orientimin e karrierës së tyre.
Thirrjen për të aplikuar e gjeni këtu.
Në datë 15 tetor 2024, në Luksemburg, Shqipëria hapi grupkapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 1 "Themelorët" janë:
- Funksionimi i institucioneve demokratike
- Reforma e administratës publike
- Gjyqësori dhe të drejtat themelore
- Drejtësia, liria dhe siguria
- Kriteri ekonomik
- Prokurimi publik
- Statistikat
- Kontrolli financiar
Drejtori i Departamentit të Administratës Publike, znj. Enkela Dudushi, ishte pjesë e Delegacionit Shtetëror, kryesuar nga Kryeministri.
Administrata publike ka një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ku Reforma në Administratën Publike (RAP) është futur për herë të parë në procesin e negocimit si një kriter i veçantë, pjesë e Cluster I.
Pas çeljes së negociatave, kryeministri z. Edi Rama tha se, ky është një moment historik duke kurorëzuar përpjekjet e mëdha të deritanishme në fushën e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit.
Integrimi në familjen evropiane mbetet projekti strategjik më transformues i Shqipërisë.
Departamenti i Administratës Publike me mbështetjen e Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim — IDM është duke punuar për tre dokumente të cilat do të kontribuojnë për forcimin e etikës dhe kulturës së integritetit në institucionet publike:
- Manuali i rregullave të etikës për nëpunësit e administratës publike
- Udhëzues "Për elementët kryesorë procedurialë dhe materiale të ecurisë dhe shqyrtimit të shkeljeve disiplinore"
- Metodologjia për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave të etikës në institucionet e administratës publike
Në këtë kuadër u zhvillua një fokus grup me ekspertë dhe profesionistë të njësive të burimeve njerëzore të ministrive të linjës, në lidhje me praninë e dilemave etike në institucion dhe procedurat që ndjekin njësitë e burimeve njerëzore në këto raste.
Gjatë takimit u diskutuan dhe u ndanë përvojat e punës për vendimet e duhura në rastet kur përballemi me dilema etike.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Forcimi i integritetit për përmirësimin e shërbimeve publike”, i cili zbatohet nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëveprim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).
Dokumentet do të konsultohen gjithashtu edhe më aktorë interesi me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të tyre.
Në datat 20 – 21 shkurt, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni, bashkë me Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike, znj. Enkela Dudushi, dhe delegacionin që e shoqëronte, zhvilloi një vizitë dyditore në Ljubjanë me Ministrin e Administratës Publike të Sllovenisë, z. Franc Props.
Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e rienergjizimit të administratës, fuqizimin e burimeve njerëzore ekzistuese, si dhe mbi domosdoshmërinë e vlerësimit të vazhdueshëm të performancës së punonjësve me kryefjalë meritokracinë.
“Modernizimi i administratës publike është jetik për shpejtimin e procesit të integrimit evropian. Sllovenia mbetet një vend partner prej praktikave të mira të të cilit në këtë fushë ne mund të mësojmë shumë”,- tha ministrja.
Si një mbështetëse e rrugëtimit integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, u shpreh znj. Pirdeni, Sllovenia vazhdon të ofrojë përkrahjen e saj në shumë drejtime, përfshirë shkëmbimin e eksperiencave për mirëfunksionimin dhe modernizimin e administratës publike shqiptare.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, znj. Adea Pirdeni prezantoi vizionin për rienergjizimin e burimeve njerëzore të administratës publike, në funksion të forcimit dhe modernizimit të saj.
“Administrata 2030 – Modernizim | Inovacion | Mirëqeverisje”
“Kjo administratë është motori lëvizës i këtij vendi. Shpejtësia dhe efiçenca me të cilën lëviz ky motor varet nga të gjithë ne. Duhet ta fitojmë këtë garë, në radhë të parë për veten, por duhet ta fitojmë këtë garë edhe për vizionin tashmë të prekshëm të Shqipërisë Evropiane”, tha ministrja Pirdeni gjatë konferencës së mbajtur në 9 shkurt.
Në aktivitetin e organizuar për energjizimin e administratës publike me qëllim rritjen e profesionalizimit e performancës duke fuqizuar mirëqeverisjen, rendin ligjor dhe antikorrupsionin, ministrja tha se 2023 ishte viti ku ndërmorëm një reformë thelbësore në sistemin e pagave në administratën publike: “Në këtë proces pati një rritje prej 19 - 41 % të nivelit të pagave për specialistë, si dhe një rritje deri në masën prej 46 % për nivelet drejtuese në administratë”.
“Shqipëria renditet e para në rajon për zbatimin e standardeve të legjislacionit të shërbimit civil. Sot sfida jonë i kalon kufijtë e rajonit, sot sfida jonë e vërtetë është administrata, e cila duhet të pulsojë me ritmin e kohës dhe të përgatisë Shqipërinë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane”, - tha më tej ajo.
Duke folur për “Programin e ekselentëve”, znj. Pirdeni tha se, “mbi 500 kolegë të rinj sot, studentë ekselentë me mesatare mbi 9 janë pjesë e stafeve tona, janë ata që i japin administratës ritmin e një strukture që ripërtërihet vazhdimisht”.
Në aktivitetin ku morën pjesë kabineti qeveritar dhe përfaqësues të Administratës Publike, kryeministri, z. Edi Rama, tha se: “Administrata Publike do të ketë rol kyç për integrimin e vendit në BE. Administrata publike është tashmë armata pararojë e betejës për anëtarësimin në BE dhe për jetësimin e vizionit “Shqipëria 2030””.
Përfaqësues të DAP dhe administratave publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor morën pjesë në mbledhjen e Komitetit të Programit të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) në Shkup.
Gjatë mbledhjes së datës 31 janar u diskutuan dinamikat e vitit të kaluar dhe aktivitetet e reja që do të zhvillohen përgjatë 2024.
Vlerësimi i progresit të punës, qëllimet dhe prioritetet e Reformës së Administratës Publike dhe integrimit evropian në lidhje me programin dhe strategjinë e ReSPA, ishin pikat kyçe të diskutimit mes pjesëmarrësve në këtë aktivitet.
Fushat tematike si: koordinimi i politikave, menaxhimi i burimeve njerëzore, transformimi digjital dhe integrimi në BE do të jenë gjithashtu fokusi i këtij viti. Organizatorët prezantuan gjithashtu draftin e parë të Strategjisë së re ReSPA 2025 - 2030 si dhe risitë ku do të bazohet kjo strategji.
Departamenti i Administratës Publike do të shpallë përgjatë vitit 2024, vendet vakante të ndara në kategoritë si më poshtë:
Për kategorinë ekzekutive (868)
Për kategorinë e ulët drejtuese (217)
Për kategorinë e mesme drejtuese (92)
Në vendimin e miratuar (këtu) nga Këshilli i Ministrave për planin vjetor të pranimit në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e shërbimit civil renditen dhe fushat përkatëse për të cilat administrata do të ketë nevojë gjatë këtij viti:
Shkenca ekonomike; juridike; shoqërore; sociale; mjekësore; inxhinierike; ekzakte; edukimi; mjedisore ose të tjera të përshtatshme; biologjike dhe të ngjashme me to; Audit i brendshëm; Histori-filologji; Veterinari; Agronomi; Zootekni; Mbrojtje bimësh; Kimi; Arkitekturë; Arkeologji dhe restaurime; Artet e bukura; Gjeodezi; Mësuesi; Arsim i lartë ushtarak/policor; Arsim i lartë.
Në vendim renditen gjithashtu dhe institucionet e administratës shtetërore ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2024:
1. Kryeministria dhe institucionet në varësi të saj;
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
3. Sistemi i ministrisë së Brendshme;
4. Sistemi i ministrisë së Mbrojtjes;
5. Sistemi i ministrisë së Financave;
6. Sistemi i ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
7. Sistemi i ministrisë së Drejtësisë;
8. Sistemi i ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
9. Sistemi i ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
10. Sistemi i ministrisë së Turizmit dhe Mjedsit;
11. Sistemi i ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
12. Sistemi i ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Për të aplikuar në shpalljet që publikon DAP në faqen zyrtare, www.dap.gov.al, kandidatët duhet të krijojnë fillimisht profilin e tyre online me dokumentet e nevojshme e më pas të aplikojnë në shpallje për të cilat kanë interes dhe që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe ato të posaçme.